Takimi i liderëve/ Mehazi zbulon planin për pushtet, përmend mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme

Takimi i liderëve, i organizuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, zgjati tre orë dhe u zhvillua në Klubin e Deputetëve. Tema kryesore e diskutimit ishte shfuqizimi i qeverisë teknike. Në takim mori pjesë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga deputetja Rina Ajdari.

Koalicioni VLEN u përfaqësua nga Bilall Kasami dhe deputeti Bekim Qoku. Ndërsa përkundër paralajmërimit për pjesëmarrjen e kryetarit të ZNAM, Maksim Dimitrievski, në takimin e liderëve, ishte ministri i Administratës nga kjo parti, Goran Minçev, që mori pjesë.

Për herë të parë, në këtë takim mori pjesë edhe “E Majta”, ku kryetari Dimitar Apasiev ishte i shoqëruar nga deputeti Borisllav Krmov.

Lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Sulejman Mehazi ka thënë se takimi i liderëve të partive me kryeministrin Mickoski për shfuqizimin e qeverisë teknike në muajt e fundit të qeverisjes ka simbolikën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Pika qendrore e takimit të liderëve të partive me kryeministrin Mickoski në RMV për shfuqizimin e qeverisë teknike në nëntë muajt e fundit të qeverisjes e ka simbolikën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare,  mirëpo siç shihet partitë opozitare refuzojnë takimin, LSDM-ja opozitare maqedonase nuk mori pjesë”, ka thënë ai.

Image
Analisti politik, Sulejman Mehazi

Sipas tij,  takimi me Mickoskin ngre dyshime se partitë në pushtet po përgatisin shfuqizimin e qeverisë teknike për të penguar partitë opozitare në fund të mandatit.

“Ky takim në zyrën e kryeministrit Hristijan Mickoskit na detyron të sqarojmë se mos ndoshta pas zgjedhjeve të përsëritura lokale në katër komunat: Vrapçisht; Gostivar, Mavrovë dhe Qendër Zhupa partitë në pushtet  bëjnë përgatitje për zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat pas fitoreve bindëse gjatë zgjedhjeve lokale duan dhe një fitore më të madhe parlamentare, pra,  qëllimi i partive në pushtet është që para Zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare të shfuqizojnë qeverinë teknike për të mos qenë në qeveri partitë opozitare në fund të mandatit”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Mehazi ka zbuluar planin e Mickoskit dhe partnerëve të koalicionit VLEN dhe ZNAM, duke thënë se partitë opozitare të humbin të drejtën për të marrë pozita ministrore para zgjedhjeve.

“Shfuqizimi i qeverisë teknike paralajmëron, se së shpejti do ketë Zgjedhje Parlamentare me kryeministrin Mickoski dhe partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM, që të humbin të drejtën partitë opozitare  të marrin pozitat ministrore para zgjedhjeve parlamentare.

Pra, qëllimi i partive në pushtet është, një, shfuqizimi i qeverisë teknike, dy, pas shfuqizimit të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare pa opozitën në pushtet”, ka përfunduar Mehazi.