“Treni i Lumirit u ndal në mes të rrugës: LDK-ja pa drejtim dhe pa destinacion”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku që nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit deklaronte për reflektim të partisë që ai udhëheq.
Përkundër kësaj, Abdixhiku vazhdon tani të kërkojë një marrëveshje politike për një president jopolitik.
Abdixhiku ka thënë se për zgjedhjen e presidentit duhet konsensus politik dhe se pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër përveç krizës institucionale.
Opinionisti Dedë Preqi, në një shkrim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se treni i Lumirit është pa destinacion.
Sipas Preqit, do të ishte më mirë që Abdixhiku të niset rrugës “së vjetër” e cila ishte mirë e projektuar dhe e trasuar nga arkitekti historik i asaj dhe kësaj kohe.
“Treni i Lumirit pa destinacion ! Siç thotë publicisti Idriz Zeqiraj, në një shkrim të tij se, « humbja e LDK-së, nuk është edhe fundi i botës, por kësaj radhe është super-specifike dhe lehtësisht e shmangshme », që sipas publicistit, mungesa e përgjegjësisë e ka dëmtuar rëndë këtë parti/.
Sikur treni i Lumirit filloi të ecën nëpër «Rrugën e re « të imagjinuar me plot sfida.
Dikush e kishte bërë Lumirin lokomotivist pa përvojë.
Pavarësisht nga bindjet se Lumiri, do të ishte një lokomotivist i mirë dhe do bëhët i njohur pasi sikur do të ishte një organizim i qëllimshëm e pranon atë në një formë të tillë strukturore dhe funksionale.
-Një hipotezë mendjelehtë kjo, në të cilën në mënyrë të vetëdijshme apo jo, të dëgjohen këshillat e shumicës së njerëzve me përvojë, që me trenin e tij Lumiri, të niset rrugës së «vjetër» e cila ishte mirë e projektuar dhe e trasuar nga arkitekti historik i asaj dhe kësaj kohe, që të arrihet më lehtë dhe më mirë në destinacionin e duhur.
Pse do të ishte më mirë të shkohet përmes rrugës së vjetër, sepse ishte një ndër ato më të forta dhe të sigurta, të ndërtuar nga një arkitekt i gjitha kohërave, të cilën ia patën lakmi e gjithë bota, sepse ishte rrugë jo aq e thjeshtë, por e natyrshme dhe më e saktë“, thotë Preqi.
Dedë PreqiSipas tij, Abdixhiku kishte frikë gjatë rrugëtimit dhe se për fat të mirë treni u ndal pa rrezik.
“Treni i Lumirit, filloi të ecën e të ecën nëpër «rrugën e re» të imagjinuar, që dukej një rrugë e pa trasuar dhe e pa krye, duke marrë me vete pasagjerët e vet deri në rrjedhojat e skajshme.
Mirëpo, gjatë rrugëtimit kishte frikë, sidomos kur shpejtësia e madhe do ta nxjerrte trenin prej binarëve, dhe kishte dilema se treni po lëvizte shpeshherë pa kontrollë nga emocionet apo lastimet e lokomotivistit. Për fat të mirë treni u ndal pa rrezik, por jo në destinacionin e duhur, me çrast pasagjerët filluan të ankohen dhe do zhgënjehen në lokomotivistin e tyre, sepse përveçse janë vonuar dhe nuk kanë arritur në cak, ata kanë humbur shumë kohë dhe energji, sikur tani kërkojnë ndryshim dhe dëmshpërblim“, shprehet opinionisti.
Ai shton se ‘treni’ i Lumirit është ndalur të pushojë dhe sikur duket i amortizuar i tëri dhe më keq, kur pasagjerët janë shumë të zhgënjyer dhe sikur kanë mbetur në gjysmë rrugë të vazhdojnë apo të mos vazhdojnë, duke dyshuar se do t’i lë në rrugë.
“Dikush thotë se, do gabohemi nëse do ankohemi, sepse mund ta presim trenin tjetër, që të arrijmë në destinacionin e duhur dhe me kohë në kohën e duhur?…
Mirëpo do të ishte një term më i saktë në këtë kontekst, që të ndërrohet lokomotivisti, sepse është e pa precedent dhe në kundështim me parimet dhe rregullat e kulturo-komunikacionit njerëzor, që të arsytohet një dështim i tillë.
Tani, treni i Lumirit, është ndalur të pushojë dhe sikur duket i «amortizuar» i tëri, dhe më keq, kur pasagjerët janë shumë të zhgënjyer dhe sikur kanë mbetë në gjysmë të rrugës, të vazhdojnë apo të mos vazhdojnë me këtë tren, duke dyshuar se do i lë në rrugë përsëri…
Jeta na ofron mundësi të reja, por varet nga ne, se sa kemi mundësi, vullnet dhe durim për të pritur trenin e duhur… “, përfundon Preqi.
Kujtojmë, se të dje kryetari i LDK-së në konferencën për media që mbajti pas takimit me nënkryetarët e partisë për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqje.
Ai është shprehur se e sheh si obligim moral dhe politik të marrë përgjegjësinë dhe të shtrojë tutje organizimin politik të partisë që udhëheq.
Tutje, Abdixhiku bëri të ditur se dorëheqjen do ta ofrojë te Kuvendi i LDK-së.
“Trajtuam të gjitha çështjet politike dhe të ardhmen që na pret në vijim. Siç ju kam njoftuar edhe sonte, ju njoftoj se në konsultim kemi vendosur që të thërrasim kryesinë e LDK-së dhe pastaj Kuvendin e LDK-së, e kam obligim moral e politike që të marr përgjegjësinë dhe ta shtroj tutje organizimin politik të LDK-së, nëpërmjet ofrimit te Kuvendi i LDK-së dorëheqjen”, u shpreh Abdixhiku.