Uji nën vëzhgim, çfarë po tregojnë analizat e fundit në Kosovë?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, ka njoftuar se po vazhdon monitorimi i rregullt i cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas rezultateve të analizave të datës 15 janar 2026, situata e cilësisë së ujit mbetet e pandryshuar dhe brenda standardeve të lejuara në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës.

IKSHPK nëpërmjet një njoftimit bën të ditur se përjashtim nga kjo gjendje paraqesin rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku janë evidentuar disa zona me probleme në cilësinë e ujit.

Në rajonin e Gjilanit, në zonën e Kamenicës – Stacioni nr. 1 dhe Besa Center, uji është brenda standardeve të lejuara për pije. Megjithatë, në Stacionin e pompimit nr. 2, Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar, për çka uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.

Sa i përket rajonit të Pejës, në Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit është vlerësuar si e përshtatshme për pije. Ndërkaq, në komunën e Klinës, përkatësisht në rrjetin nga puset dhe rrjetin nga burimi Jarinë, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.

IKSHPK thekson se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe qytetarët do të informohen me kohë për çdo ndryshim të situatës.