Vizita e BE-së pa garanci konkrete/ A po menaxhohet dialogu vetëm për të ruajtur status quo-në?

Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, pas takimeve me krerët më të lartë shtetërorë, deklaroi se BE-ja do të angazhohet që gjatë vitit 2026 të arrihen rezultatet që nuk u realizuan në vitin paraprak.

Ky mesazh vjen në një moment delikat për Kosovën, kur vendi ndodhet në prag të formimit të institucioneve të reja, ndërsa procesi i dialogut mbetet i ngërthyer mes mungesës së zbatimit të marrëveshjeve dhe pritjeve të paqarta evropiane.

Deklaratat e Sørensenit kanë hapur dilema serioze nëse kjo vizitë shënon një rifillim real të dialogut apo thjesht vazhdimin e menaxhimit të status quo-së, duke e lidhur sërish procesin me zhvillimet e brendshme politike në Kosovë.

Në këtë kontekst, analistët vlerësojnë se, pavarësisht deklaratave optimiste nga Brukseli, dialogu Kosovë–Serbi mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së vizionit, vullnetit politik dhe zbatimit real të marrëveshjeve, ndërsa viti 2026 rrezikon të jetë vetëm një tjetër afat i shtyrë pa përmbajtje konkrete.

Mungesa e strategjisë nga BE-ja

Image
Skender Zogaj

Analisti Skënder Zogaj vlerëson se Bashkimi Evropian tashmë është bërë peng i vetvetes në raport me dialogun Kosovë–Serbi, duke humbur momentin kur mund të kishte qenë efikas dhe vendimmarrës.

“BE-ja e ka lëshuar kohën e duhur për të qenë e suksesshme në zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe, sepse nuk është treguar efikase në zbatimin rigoroz të marrëveshjeve të arritura në kohë reale. Tash koha ka skaduar dhe po ndodh sjellja në rreth, që Serbia e dëshiron, por Kosovës nuk i konvenon”, shprehet Zogaj.

Sipas tij, fakti që dialogu vazhdon të konsiderohet kusht për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tregon qartë mungesën e një strategjie të re evropiane.

“Kjo u vërtetua edhe nga takimi i përfaqësuesit të BE-së me krerët më të lartë shtetërorë të Kosovës, ku u rikonfirmua mungesa e rezultateve dhe u supozua se sivjet do të synohen rezultatet e vitit të kaluar. Një deklaratë e tillë është shumë inerte dhe e pashpresë”, thekson ai.

Zogaj vlerëson se lidhja e dialogut me formimin e institucioneve të reja në Kosovë dëshmon se BE-ja ende nuk ka një plan të qartë veprimi.

“Zgjidhja vazhdon të kushtëzohet nga formimi i institucioneve të reja të Qeverisë së Kosovës, që do të thotë se BE-ja ende nuk ka ndonjë plan të saktë veprimi. Manovrimi me kërkesën për vazhdimin e dialogut nuk ngjall shpresë, sepse jemi dëshmitarë të shterpësisë shumëvjeçare, e cila vetëm sa akumulon shqetësime të reja”, shton ai.

Sipas Zogajt, aktualisht Bashkimi Evropian po kënaqet me menaxhimin e status quo-së, në pritje të zhvillimeve të reja ndërkombëtare.

“Sa mund ta gjykoj unë, BE-ja është duke u kënaqur vetëm me menaxhimin e status quo-së, që lidhet me pritjen e masave të reja amerikane. Për Kosovën, SHBA-të kanë theksuar marrëveshjen finale dhe njohjen reciproke si alternativë të vetme. Dua të besoj se BE-ja dhe SHBA-ja janë mirë të koordinuara për këtë pjesë të Ballkanit”, përfundon Zogaj.

Vizitë simbolike

Image
Blerim Burjani

Edhe njohësi i zhvillimeve politike, Blerim Burjani, ndan një qasje skeptike ndaj vizitës së fundit të përfaqësuesit evropian, duke e cilësuar atë kryesisht simbolike dhe formale.

“Sipas meje, kjo vizitë është simbolike dhe formale. Dialogu është në rrugë qorre, pa ndonjë seriozitet as politik e as teknik. Dialogu ka dështuar, sepse marrëveshjet, në pjesën dërrmuese, nuk janë zbatuar”, thekson Burjani.

Ai kritikon ashpër edhe mënyrën se si BE-ja e ka lidhur dialogun me proceset e brendshme politike në Kosovë, duke e konsideruar këtë qasje të padrejtë dhe kontradiktore.

“Është e çuditshme që BE-ja e lidh dialogun me formimin e institucioneve, kur edhe vetë është përgjegjëse deri diku për gjendjen në Kosovë. Draft-statuti i BE-së për Asociacionin ishte plotësisht në kundërshtim me interesin e Kosovës, madje deri në fund antikushtetues”, shprehet ai.

Sipas Burjanit, hapësira e manovrimit për Qeverinë e re të Kosovës në dialog mbetet minimale, për shkak të përsëritjes së një narrative të konsumuar.

“Manovrimi do të jetë i njëjtë, retorika e njëjtë dhe e dështuar. Në Kosovë askush nuk ka më interes për një dialog të tillë që zhvillohet kundër interesave të saj”, vlerëson ai.

Sa i përket asaj se çfarë mund të konsiderohet realisht rezultat i dialogut në vitin 2026, Burjani shprehet se BE-ja po tenton ta imponojë një proces të parealizueshëm.

“Tentativa evropiane është formimi i Asociacionit, por ky dialog ka dështuar plotësisht. As Kosova dhe as Serbia nuk janë pro një asociacioni. Serbia synon një gjysmë ‘Republika Srpska’ në Kosovë, ndërsa Kosova nuk e lejon këtë në asnjë formë”, përfundon Burjani.