Aktuale

Laura Pula: Manipulimet e 28 dhjetorit, më të mëdhat në vite

Koordinatorja kombëtare për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka vlerësuar se manipulimet e konstatuara në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit janë të papritura dhe me përmasa që nuk janë parë prej vitesh. 

Pula kujtoi se pas zgjedhjeve të vitit 2010, kur u evidentuan parregullsi të theksuara, sistemi prokurorial ndërmori një sërë masash që sollën përmirësime të dukshme në proceset e mëvonshme. Sipas saj, prej vitit 2013 e këtej është ndjekur nga afër çdo cikël zgjedhor dhe nuk janë regjistruar raste të falsifikimeve masive të ngjashme me ato që po hetohen tani.

Ajo shtoi se për të garantuar integritetin e votimit u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes institucioneve kyçe: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Policisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësor dhe sistemit prokurorial. Qëllimi, siç tha Pula, ka qenë i qartë dhe i vetëm: mbrojtja e votës së qytetarit.

“I tërë opinioni është kah e di që një vjedhje kaq e madhe, një falsifikim i votave në mënyrë masive vërtet s’ka ndodhur vite me radhë”, ka thënë Pula.

“E them se s’ka ndodhur, ngase që nga viti 2013 unë përcjell, ngase jam koordinatore nacionale e zgjedhjeve në nivel vendi, dhe në reflektim të pasojave të vitit 2010 kur ishin zgjedhjet pothuajse mjaft të këqija asokohe, ne patëm marrë iniciativë, sistemi prokurorial, që të bëjmë një memorandum bashkëpunimi me të gjitha institucionet relevante, duke filluar nga KQZ-ja, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor, dhe ne si sistem prokurorial, me të vetmen moto, ne u futëm aty – mbrojtja e votës së qytetarit”

“Dhe kjo ka dhënë rezultate të pamohueshme”.

“Manipulimi i votave të qytetarit [në zgjedhjet e 28 dhjetorit] për deputetë të Republikës së Kosovës, për Kuvend, vërtet ishin të papritshme për ne”.

Të Ngjashme