Aktuale

Përgatituni/ Moti bën kthesën e fortë nesër, stuhi, reshje shiu dhe dëbore

Moti për ditën e premte parashikohet i paqëndrueshëm në të gjithë territorin e vendit, duke sjellë vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu që do të shfaqen që në orët e para të 24-orëshit.

Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet do të nisin fillimisht në veri dhe jug të vendit, për t’u shtrirë gradualisht në të gjithë territorin, me intensitet kryesisht të ulët dhe lokalisht mesatar.

Gjatë orëve të mëngjesit, situata meteorologjike pritet të jetë më problematike në ekstremin verior, si edhe lokalisht në zonat lindore dhe jugore, ku reshjet do të arrijnë intensitet deri të lartë.

Në këto zona priten shtrëngata shiu të shoqëruara me shkarkesa elektrike, duke krijuar kushte të paqëndrueshme dhe potencialisht problematike për qarkullimin rrugor dhe aktivitetet në natyrë.

Pas orëve të paradites, reshjet e shiut do të vijojnë në pjesën më të madhe të territorit, por me intensitet të ulët. Megjithatë, nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra në zona të izoluara, të cilat mund të shfaqen në mënyrë të herëpashershme gjatë ditës.

Në zonat malore, veçanërisht në Alpe dhe në shtrirjen verilindje–juglindje, mbi lartësinë 800–900 metra, reshjet do të jenë në formën e dëborës, me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.

Sa i përket temperaturave, ato pritet të mbeten relativisht të ulëta për këtë periudhë. Temperaturat minimale do të zbresin deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 15 gradë Celsius, duke sjellë një ndjesi të freskët gjatë gjithë ditës.

Era do të fryjë me drejtim juglindje–jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore ajo mund të arrijë shpejtësi deri në 16 m/s. Si pasojë, në Deti Adriatik dhe në Deti Jon valëzimi do të jetë i forcës 2–4 ballë.

Autoritetet këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos gjatë lëvizjeve në zonat ku priten reshje intensive dhe shtrëngata, si dhe në zonat malore ku prania e dëborës mund të vështirësojë qarkullimin.

Të Ngjashme